Lidhje

Një film i ri për dhunën gjinore zgjon emocione të forta në Itali


Regjisorja dhe aktorja Paola Cortellesi/AP
Regjisorja dhe aktorja Paola Cortellesi/AP

Filmi “C’e’ Ancora Domani” – “E nesërmja do të vijë” - po pritet me duartrokitje gjithandej nëpër kinematë italiane. Filmi përshkruan jetën e një gruaje që përjeton dhunën e bashkëshortit të saj.

“Desha të tregoj rrëfimin e një gruaje, një gruaje që nuk kishte kurrfarë kërkesash, në një kohë kur të drejtat e grave as nuk imagjinoheshin. Një grua që, si shumë gra që i njoh e gra të moshuara në familjen time, mendonin se jeta dhe mungesa e të drejtave ishin normë. Për to kështu ishte jeta. Një grua që e pranon këtë realitet dhe me ambicien e vetme ka ta martojë vajzën. Doja ta tregoja, përmes të drejtave të grave, udhëtimin e kësaj gruaje drejt ndërgjegjësimit”, thotë regjisorja Paula Cortellesi.

Filmi ka prekur majat e listave kinematografike ne Itali. Shfaqja e tij ka përkuar me vrasjen e një studenteje nga ish i dashuri i saj që frikësohej se ajo do ta braktiste për t’i ndjekur ëndrrat, duke shtuar trysninë ndaj politikanëve dhe institucioneve arsimore, nga të cilët po kërkohen veprime konkrete për të mbrojtur gratë dhe çrrënjosur mentalitetin patriarkal që ka rrënjë të thella në shoqërinë italiane.

“Fatkeqësisht, ky rrëfim është për diçka që ka ndodhur shpesh: vrasjen e një gruaje. Në të kaluarën nuk e kemi diskutuar, por tani po i regjistrojmë vrasjet. Për çdo 72 orë – kjo është mesatarja në Itali, një mesatare rrëqethëse, një grua vdes jo në aksident e as nga sëmundja, por në duart e një burri. Kështu ndodh në 90 për qind të rasteve. E vret burri që mendon se ajo është pronë i tij,” thotë ajo.

I vendosur në Romën e pasluftës, në vitin 1946, shumë kohë para se divorci të legalizohej në Itali dhe pak para se grave në Itali t’iu lejohej e drejta e votimit, filmi ka në qendër jetën e një bashkëshorteje, nënë e tre fëmijëve, që mundohet të sigurojë jetesën ndërkohë që rrihet rregullisht nga bashkëshorti i saj i dhunshëm. Ajo bën përpjekje për të shmangur një të ardhme të ngjashme për vajzën e saj.

Regjisorja e filmit, Cortellesi thotë se filmin e kishte konceptuar si një rrëfim për dashurinë ndërmjet nënës dhe të bijës dhe ia dedikoi filmin vajzës së saj 11 vjeçe.

“Arsyeja përse ia dedikoj filmin vajzës time është sepse dua që vajzat të kuptojnë se ato të drejta që i gëzojnë sot, janë fituar pas betejave të mëdha, nganjëherë të përgjakshme,” thotë zonja Cortellesi.

Ndonëse është shënuar përparim në drejtim të të drejtave të grave në Itali që nga viti 1946, shumë gra vazhdojnë të ndihen të rrezikuara pa ndërhyrjen e shtetit.

“Gratë shpeshherë vihen në pozita të vështira, edhe përballë vendimit për të braktisur partnerin e tyre abuzues. Është fare lehtë të pyesësh përse nuk e braktise? Por ndoshta ajo nuk e ka braktisur sepse nuk kishte ku të shkonte, nuk kishte një punë, nuk kishte mbrojtje. Shteti, ligji nuk të mbron çdo herë. Ka shumë raste kur gratë kanë bërë padi dhe janë vrarë. Në një rast të fundit, një grua u vra nga burri që ishte nën kontrollin e policisë për të mos iu afruar gruas. Ai iu afrua dhe e vrau. Gratë janë të frikësuara,” thotë presidentja e organizatës "Çlirohu" që ndihmon viktimat e dhunës, trafikimit dhe diskriminimit, Oria Gargano.

Shikuesit e filmit po dalin nga kinematë duke me lot në sy.

“Fatkeqësisht tema e dhunës ndaj gruas është gjithnjë aktuale. Ky film ndihmon për ndërgjegjësimin dhe na ndihmon të kuptojmë dashurinë e nënës për vajzën dhe rëndësinë e shkollimit, sepse e tëra fillon aty. Arsimimi e bën të ardhmen më të lehtë për gratë, krahas së drejtës për të votuar," thotë zonja Daria Dicorpo, mësuese. "Ajo që më bëri shumë përshtypje në film është thënia ‘mbylle gojën’ që përsëritet vazhdimisht. Në vend të kësaj, jo, ne duhet të flasim, duhet të bërtasim, duhet të komunikojmë bukurinë e të qenurit grua.”

Kompania që ka prodhuar filmin ka siguruar marrëveshje për ta shfaqur atë në 15 vende në Evropë e Amerikën e Jugut.

XS
SM
MD
LG